Abstract:
Ky studim trajton në mënyrë të plotë dhe të strukturuar kuadrin ligjor dhe institucional të prokurimeve publike në Shqipëri, duke analizuar zhvillimet historike, ndikimin e standardeve evropiane dhe rëndësinë e tyre në funksionimin e shtetit të së drejtës. Në fokus të analizës është Ligji nr. 162/2020 “Për Prokurimin Publik”, i ndryshuar, aktet nënligjore që e shoqërojnë atë, direktivat e Bashkimit Evropian ne fushën . Po ashtu, trajtohet roli i institucioneve përgjegjëse për garantimin e një procesi të drejtë dhe transparent, si Agjencia e Prokurimeve Publike, Komisioni i Prokurimit Publik, Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe organet e drejtësisë. Pjesë qendrore e studimit është shqyrtimi i problematikave në zbatim, rasteve të abuzimeve dhe dobësive në mekanizmat e ankimit e kontrollit, si dhe roli i korrupsionit në procesin e prokurimit publik. Përmes analizës së raporteve institucionale dhe të shoqërisë civile për vitet 2015–2025, studimi vlerëson efektivitetin e mekanizmave ekzistues dhe propozon rekomandime konkrete për forcimin e kuadrit ligjor, institucional dhe praktik, në funksion të rritjes së transparencës, efikasitetit dhe përafrimit me standardet e Bashkimit Evropian.
Metodologjia e ndjekur është analitiko - krahasimore, e cila përfshin një kombinim të analizës së dokumenteve ligjore dhe nënligjore, shqyrtimit të raporteve institucionale si dhe studimit të rasteve konkrete të prokurimeve problematike për të evidentuar praktikat që ndikojnë në efektivitetin dhe transparencën e procesit.
Synimi kryesor i këtij hulumtimi është të propozojë mekanizma e reforma të qëndrueshme për një sistem prokurimesh më transparent, të drejtë e efikas, përmes platformave dixhitale, rritjes së transparencës proaktive dhe forcimit të kapaciteteve institucionale.