Abstract:
Në një epokë ku transformimi digjital po ndikon ndjeshëm në mënyrën e funksionimit të shoqërisë moderne, profesionet juridike, përfshirë edhe noterinë, po përballen me sfida dhe mundësi të reja.
Ky punim synon të analizojë proçesin e digjitalizimit të sistemit noterial në Shqipëri, duke e
vendosur atë në një kontekst krahasues me zhvillimet që po ndodhin në Bashkimin Evropian dhe më gjerë. Në fokus të veçantë është Ligji i ri për Noterinë, i cili përfaqëson një ndërhyrje të
rëndësishme ligjore që hap rrugën për transformimin teknologjik të shërbimeve noteriale në vend.
Punimi analizon dispozitat ligjore që lidhen me përdorimin e teknologjisë informative në praktikën noteriale, si dhe paraqet risitë që sjell platforma elektronike NISA (Sistemi Informativ i Noterisë Shqiptare), e cila është dizajnuar për të përmirësuar ndërveprimin ndërinstitucional dhe ofrimin e shërbimeve në mënyrë më transparente, të sigurt dhe efikase. Në këtë kontekst, vlerësohen edhe
përfitimet që digjitalizimi sjell për qytetarët, profesionistët dhe vetë shtetin.
Metodologjia
Ky punim përdor një qasje metodologjike të kombinuar që përfshin analizën përshkruese dhe normative të ndryshimeve ligjore dhe infrastrukturore. Burimet kryesore të përdorura për këtë punim janë dokumentet ligjore si Ligji i ri për Noterinë, rregulloret dhe udhëzimet administrative të lëshuara nga institucionet përkatëse, si dhe raportet zyrtare të publikuara nga Dhoma Kombëtare
e Noterisë dhe Ministria e Drejtësisë. Gjithashtu, janë përdorur të dhëna statistikore të nxjerra nga praktika e përditëshme si dhe statistika nga sitemi NISA për të vlerësuar efektet praktike të digjitalizimit në shërbimet noteriale.
Punimi përfshin edhe një analizë krahasuese të praktikave më të mira nga vendet e tjera europiane,
duke identifikuar modele që mund të shërbejnë si referenca të dobishme për zhvillimin e mëtejshëm të digjitalizimit të noterisë në Shqipëri.
Për vlerësimin e procesit të digjitalizimit janë përdorur kritere specifike si efikasiteti operacional, transparenca, siguria juridike dhe përshtatshmëria e infrastrukturës teknologjike. Për më tepër, janë kryer intervista dhe konsultime me ekspertë të fushës, noterë aktivë dhe zyrtarë institucionalë, për
të marrë informacion të detajuar mbi përvojat, sfidat dhe rekomandimet për përmirësimin e
shërbimeve digjitale noteriale.
Duke qenë se sistemi NISA është një projekt që është bërë funksional së fundmi (viti 2021), mbledhja e statistikave të hollësishme dhe zhvillimi i analizave të thelluara mbi të dhëna sasiore të besueshme paraqet vështirësi objektive. Për këtë arsye, në disa raste analizat e kryera dhe përfundimet e paraqitura në këtë punim janë mbështetur jo vetëm në burime zyrtare, por edhe në përvojën time personale shumëvjeçare në terren. Si pjesë e funksionit tim profesional kam ofruar
mbështetje teknike dhe ligjore për të gjitha zyrat noteriale në vend, çka më ka mundësuar qasje të vazhdueshme dhe të drejtpërdrejtë në problematikat reale të implementimit të sistemit.
Për realizimin e këtyre analizave janë shfrytëzuar komunikimet e vazhdueshme që kam pasur me noterët, institucionet shtetërore dhe aktorë të tjerë të përfshirë në këtë proces. Këto komunikime,
për arsye etike dhe konfidencialiteti profesional, nuk mund të citohet në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të dokumentohen tërësisht, por kanë qenë një burim i vlefshëm informacioni për të ndërtuar një panoramë të saktë të sfidave praktike dhe efektivitetit të digjitalizimit në praktikë.
Ky seksion metodologjik synon të sqarojë qartë burimet e përdorura dhe kriteret analitike, duke
rritur transparencën dhe besueshmërinë akademike të këtij punimi.
Rezultatet e analizës tregojnë se, ndonëse Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm drejt modernizimit të noterisë, proçesi i digjitalizimit mbetet ende në fazë tranzicioni dhe kërkon përmirësime në infrastrukturën teknologjike, rritjen e kapaciteteve njerëzore, dhe ërshtatje të mëtejshme të kuadrit ligjor me standardet ndërkombëtare. Përfundimisht, ky punim ontribuon në debatin akademik dhe institucional mbi mënyrën se si teknologjia mund të shërbejë si një mjet për forcimin e shtetit të së drejtës dhe përmirësimin e shërbimeve publike në Shqipëri.